Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje mbështetësve të dalin në protestën kombëtare që do të zhvillohet sot në orën 18:00 para Kryeministrisë në Tiranë.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha ka kujtuar Zgjedhjet e 22 marsit 1992 në Shqipëri, duke e cilësuar këtë datë si momentin kur “lindi demokracia” në Shqipëri.
Ai theksoi se kjo ditë duhet të shërbejë sot si simbol për mbrojtjen e saj, duke bërë thirrje për mobilizim qytetar kundër kryeministrit Edi Rama.
“22 Mars 1992 – dita kur lindi demokracia.
22 Mars sot – dita për ta mbrojtur demokracinë!
Ora 18:00, të gjithë para Kryeministrisë kundër Edi Ramës,” – shkruan Berisha.
Protesta e opozitës zhvillohet në një moment tensioni politik dhe debat të fortë mbi çështje si korrupsioni, ekonomia dhe integrimi europian.
