Dështon goditja e SPAK për aferën e Inceneratorit të Tiranës, operacioni përfundoi nga 19 në 6 masa sigurie, nuk…

Data

Gazeta raportoi se mbrëmjen e 25 qershorit, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po përgatitej të bënte goditjen e madhe për dosjen e inceneratorit të Tiranës duke firmosur 19 masa sigurie. Në shënjestrën e SPAK bënin pjesë politikanë dhe njerëz të tjerë të rëndësishëm të medias, si edhe familjarë të tyre. Pra kishte masa për gazetarë, pronarë mediash, por dhe ortakë të kompanisë së inceneratorëve, të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, po ashtu dhe për persona të tjerë publikë, por edhe të huaj, që ishin përfshirë në pastrim parash, transferta të shumta në mijëra euro apo shit-blerje pronash e pasuri të paluajtshme.

Operacioni u bllokua dhe nuk pati finalizime, madje u mohua dhe nga SPAK pak ditë më parë, por befasia ndodhi në fundjavë. 19 fletë-arrestet u bënë 6. Gazeta shkroi pak ditë më parë se kjo dosje përmban emra “peshash të rënda” dhe doli se është aq përvëluese sa po djeg dhe “duart” e prokurorëve specialë. Mjaftojmë të shohim emrat që kanë zbarkuar në SPAK gjatë kësaj kohe. Është kupola e mazhorancës që ka dhënë llogari. Madje aty del dhe firma e kryeministrit Edi Rama. Presioni është shumë i madh. Këtë herë situata është më e nxehtë pasi është e përlyer edhe media. Ka pagesa prej miliona eurosh në kompani offshore.

Dështimi i SPAK

Edhe pse nuk pati fletë-arreste për politikanë e pronarë mediash, SPAK mbeti me gisht në gojë, pasi mes emrave që GJKKO firmosi në fundjavë masa sigurie ‘arrest me burg’ për Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi, gazetari Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Ilir Dedja dhe disa shtetas të huaj asnjë prej këtyre urdhërarresteve nuk është ekzekutuar pasi personat nuk janë gjetur gjatë operacionit të policisë. Mes emrave që përmenden se janë firmosur urdhërarrest është Denisa Tollkuci, e cila rezulton të jetë emëruar nga Klodian Zoto si administratore e kompanisë ‘Integrated Technology Services’, më datën 11 qershor 2020. Edhe gazetari Endrit Habilaj rezulton se nuk ndodhet në Shqipëri por është i larguar jashtë.

Ilir Dedja, biznesmeni garant i Ahmetajt në Zvicër

Ndërsa Ilir Dedja u bë i njohur për shkak të kontratave prej qindra mijëra eurosh me kompanitë e inceneratorëve. Një hetim i Prokurorisë së Posaçme zbuloi se Dedja njihej me Ahmetajn që prej viteve të shkollës dhe se i doli garant Ahmetajt në Lugano të Zvicrës ku po jeton me partneren dhe i punësoi gruan Erjolën me pagë 9 mijë franga në muaj. Ndërkohë në vitin 2019, 3DDD Sëiss Trading SA nënshkroi një kontratë me vlerë 5.2 milionë euro me kompaninë e inceneratorit të Tiranës, Integrated Energy BV SPV, të Mërtirit dhe Zotos për blerjen e një impianti për trajtimin e ujërave të përdorura.

Sipas SPAK, Dedja është administratori i vetëm dhe ka mbajtur pozicionin e zv/drejtorit për shoqërinë “3DDD Sëiss SA”. Kontrata vijoi deri në shkurt 2021, duke marrë pagesa të dokumentuara nga Shqipëria me një vlerë totale prej 490 mijë eurosh. Renardo Nallbani nuk është një emër i panjohur për publikun në Shqipëri. Ai ka qenë një nga drejtuesit e biznesit të inceneratorëve, në të tre veprat. Madje nën zë shpesh thuhej se biznesi i dherave të inceneratorit fillimisht drejtohej pikërisht nga Nallbani. Dashamir Ymeraj rezulton pronari i një prej 24 kompanive pjesë e skemës së mashtrimit evazioni fiskal me Inceneratorin e Tiranës. Ndaj këtyre personave është ngritur akuzat e ‘pastrimit të parave’ dhe ‘grup i strukturuar kriminal’.

Mësohet se janë firmosur dhe masa kontrolli të disa ambienteve. Ndërsa mbetet për tu parë dhe roli i shtetasve të huaj për të cilët është firmosur masa e sigurisë “arrest me burg”. Megjithatë kujtojmë se sa i takon fletarresteve më 25 qershor u tha se ishin prerë 19, ndërsa disa media e raportuan se ishin 21, ndërkohë që në lidhje me operacionin e kësaj fundjave, disa media e kanë raportuar se janë prerë 6 fletarreste dhe disa 8.

Dosja e inceneratorit të Tiranës

Në dhjetor 2023 u firmosën 15 urdhërarreste e para nga të cilat u ekzekutuan 12 ndërsa mbeten në kërkim 3, dy prej tyre Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, kokat e kësaj afere. Ndërkohë në gusht të 2023 Inceneratori i Tiranës u sekuestrua nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në maj të 2024, gjatë raportimeve në Komisionin në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK Altin Dumani deklaroi se hetimet për inceneratorin vijonin dhe se prej nga muaji gusht 2023 kur është sekuestruar çdo para shko në llogari të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Sekuestruara. Një gjë është e sigurtë, SPAK ende nuk ka shkuar te “kokat” që kanë përfituar miliona euro nga inceneratorët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related