Luftë e re kundër kontrabandistëve/ Franca kryen për herë të parë ndërhyrje në ujë kundër varkave të emigrantëve drejt Britanisë

Data

Autoritetet franceze kanë kryer për herë të parë një ndërhyrje direkte në ujë për të ndaluar varkat e vogla që transportojnë emigrantë të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në strategjinë kundër kontrabandës së njerëzve.

Operacioni u zhvillua në kanalin Aa, në zonën e Gravelines, pranë bregdetit verior francez mbi Calais. Forcat franceze ndaluan dhe hipën në një gomone të njohur si “anije-taksi”, e përdorur zakonisht nga rrjetet e kontrabandistëve për të transportuar emigrantë drejt Anglisë. Pamjet tregojnë disa persona që dyshohet se janë kontrabandistë, të ndaluar pranë një anijeje policie, ndërsa mjeti u tërhoq më pas drejt skelës.

Prefektura detare franceze nuk dha detaje të plota mbi rastin, duke bërë të ditur vetëm se është hapur një hetim gjyqësor për ndërhyrjen e kryer.

Ndryshimi i taktikave vjen pas një marrëveshjeje të arritur në muajin nëntor, pas presionit të shtuar nga qeveria britanike për masa më të forta nga ana e Francës. Politika e re u dakordësua gjatë një samiti të mbajtur në korrik të vitit të kaluar mes udhëheqësve të dy vendeve.

Deri tani, policia franceze ndërhynte vetëm në plazhe, përpara nisjes së varkave, pasi operacionet në det konsideroheshin shumë të rrezikshme. Megjithatë, kontrabandistët e kishin shmangur këtë kontroll duke përdorur “anije-taksi”, të cilat futen në ujë larg bregut dhe më pas lëvizin paralelisht me vijën bregdetare për të marrë emigrantë.

Sipas të dhënave zyrtare, kjo metodë kishte një shkallë suksesi prej rreth 81% gjatë vitit 2025. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i emigrantëve që arritën në Mbretërinë e Bashkuar nga Franca u rrit ndjeshëm, edhe pse mbeti nën nivelin rekord të vitit 2022.

Zbatimi i ndërhyrjeve në ujë ishte vonuar për shkak të shqetësimeve mbi rrezikun për jetën e emigrantëve dhe përgjegjësinë ligjore të forcave të rendit në rast incidentesh fatale. Tashmë, këto pengesa duket se janë kapërcyer.

Sipas rregullave të reja të angazhimit, forcat franceze do të ndërhyjnë vetëm për të ndaluar “anijet-taksi” përpara se ato të marrin emigrantë, dhe jo kur të jenë të mbushura. Kjo procedurë u respektua edhe në operacionin e fundit, pasi policia dyshonte se gomonia e ndaluar do të përdorej për të marrë emigrantë përtej bregdetit, në drejtim të Kanalit Anglez.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related