I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, pritet të zhvillojë të shtunën në mëngjes një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.
Zyra e kryeministrit njoftoi se takimi do të zhvillohet në orën 08:30 në kryeqytet, por pa dhënë detaje të mëtejshme mbi agjendën e diskutimeve.
Sipas burimeve jozyrtare, vizita e Sorensen lidhet me zbatimin e plotë të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, që pritet të hyjë në fuqi nga data 16 mars.
Këto ligje kanë filluar të zbatohen që nga 16 janari në formë fushate informuese, ndërsa faza e plotë e zbatimit nis të hënën.
Sipas legjislacionit të ri, të gjithë personat që nuk kanë dokumente të Kosovës duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në Kosovë për më shumë se tre muaj, përveç rasteve kur kanë autorizim të posaçëm.
Zbatimi i plotë i këtyre ligjeve është kundërshtuar nga përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë dhe nga Beogradi zyrtar, të cilët argumentojnë se masat mund të kenë ndikim negativ tek pakicat dhe në funksionimin e institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë që veprojnë sipas sistemit të Serbisë në zonat me shumicë serbe.
Autoritetet e Kosovës, ndërkohë, kanë theksuar se zbatimi i ligjit është pjesë e forcimit të rendit juridik dhe të integrimit institucional në vend.
