Bizneset në kolaps, e-Albania nuk funksionon prej 3 ditësh, AKSHI pa asnjë reagim

Data

Prej tre ditësh, aktiviteti i mijëra bizneseve në vend është praktikisht i paralizuar, për shkak të mosfunksionimit të sistemit self-care, i cili administrohet nga platforma e-Albania. Pamundësia për të aksesuar platformën qendrore të faturimit po krijon vështirësi serioze, sidomos për bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit.

“Platforma e faturave nuk hapet fare. Bizneset e vogla që punojnë të vetme nuk mund të lëshojnë fatura tatimore për shërbimet e tyre,” shprehet një ekonomiste. Sipas saj, kjo situatë ka bllokuar plotësisht punën e subjekteve që përdorin sistemin falas të faturimit elektronik.

Problemet me sistemet digjitale janë shfaqur që në fund të vitit të kaluar, por kjo është dita e tretë radhazi që bizneset nuk arrijnë të futen në platformë. Për pasojë, shumë subjekte nuk mund të nxjerrin faturat e blerjes dhe shitjes, tabelat përmbledhëse të të ardhurave dhe shpenzimeve, si dhe bilancet vjetore, të domosdoshme për përmbushjen e detyrimeve ligjore.

Një tjetër problem serioz lidhet me certifikatat e fiskalizimit. Përmes këtij sistemi bëhet edhe rinovimi i tyre. Bizneset që u përfundon afati njëvjeçar i certifikatës në këto ditë rrezikojnë të mbeten jashtë aktivitetit, pasi nuk mund ta rinovojnë atë për shkak të bllokimit të platformës.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), që menaxhon sistemin e e-Albania, nuk ka dalë ende me një reagim zyrtar për mosfunksionimin e platformës. Megjithatë, burime pranë institucionit bëjnë me dije se autoritetet janë në dijeni të situatës dhe po punojnë për zgjidhjen e problemit.

“U bënë si në kohë lufte këto sistemet tona,” ironizon një ekonomist, duke nënvizuar pasigurinë që po përjetojnë bizneset.

Situata bëhet edhe më paradoksale në kushtet kur investimet në qeverisjen digjitale janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Vetëm në vitin 2025, financimi për e-qeverisjen u trefishua, duke arritur në 20.1 miliardë lekë, ndërsa në katër vite totali i shpenzimeve ka shkuar në rreth 48.4 miliardë lekë. Pavarësisht këtyre shifrave dhe rritjes së administratës publike, bizneset vazhdojnë të përballen me bllokime dhe mungesë zgjidhjesh konkrete.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related