Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, është tërhequr nga kërkesa për ndryshim të masës së sigurisë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Sipas burimeve gjyqësore, dy kërkesa të Metës për zbutje të masës “arrest në burg” po shqyrtoheshin në të njëjtën ditë: një në GJKKO dhe një tjetër në Gjykatën e Lartë. Në këto kushte, Meta ka zgjedhur të presë vendimin e Gjykatës së Lartë.
Në seancën e zhvilluar në GJKKO, avokatët e tij, Kujtim Cakrani dhe Gyslem Zhllima, kërkuan tërheqjen nga kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Pas kësaj kërkese, gjyqtarja Irena Gjoka vendosi mbylljen e gjykimit dhe mospranimin e kërkesës për ndryshim të masës.
Sipas vendimit gjyqësor, edhe vetë Ilir Meta konfirmoi në sallën e gjyqit tërheqjen nga kërkesa.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë refuzoi rekursin e paraqitur nga mbrojtja e tij dhe vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, të cilën Meta po e vuan prej rreth 17 muajsh.
