Zyrtare | SPAK i kërkon Kuvendit heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun, autorizim për arrestim në çështjen e tunelit të Llogarasë

Data

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka drejtuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Balluku është marrë e pandehur në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë”.

Po ashtu, SPAK bën me dije se zëvendëskryeministrja ka marrë cilësinë e personit nën hetim edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi publik, ku dyshohet kryerja e së njëjtës vepër penale. Procedurat nën hetim kanë të bëjnë me projekte të mëdha infrastrukturore në Tiranë, konkretisht:

  • “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”
  • “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2”
  • “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri – Shkozë, urat mbi lumin Tirana”
  • “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”
  • “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”
  • “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”
  • “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”

SPAK sqaron se kërkesa drejtuar Kuvendit bazohet në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës, si dhe në dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale dhe Rregullores së Kuvendit, dhe ka për qëllim marrjen e autorizimit për vijimin e procedurave ligjore, përfshirë masën e sigurimit personal.

Vendimi për heqjen ose jo të imunitetit pritet të merret nga Kuvendi, i cili duhet të shqyrtojë kërkesën sipas procedurave parlamentare në fuqi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related