“Rrugë të shkatërruara dhe miliarda të zhdukur”, Dervishi akuza ndaj qeverisë: Modeli i Ramës po dëmton infrastrukturën

Data

Drejtuesi i Departamentit të Infrastrukturës në Partinë Demokratike, Besnik Dervishi, ka kritikuar ashpër menaxhimin e infrastrukturës rrugore nga qeveria, duke deklaruar se shumë nga rrugët e ndërtuara gjatë viteve të fundit janë degraduar dhe se projektet janë realizuar me kosto shumë të larta për buxhetin e shtetit.

Gjatë një deklarate në selinë e PD-së, Dervishi tha se qytetarët po përballen me shembje rrugësh, bllokime trafiku, dëmtime urash dhe rrëshqitje të skarpateve, ndërsa sipas tij këto probleme po ndodhin në rrugë të ndërtuara në vitet e fundit.

Ai theksoi se gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike u ndërtuan mijëra kilometra rrugë dhe disa korridore të rëndësishme kombëtare, përfshirë segmentet e Rrugës së Kombit dhe autostradën Tiranë–Elbasan.

Sipas Dervishit, dallimi mes dy modeleve të zhvillimit të infrastrukturës lidhet me procedurat, kostot, shpejtësinë e realizimit dhe cilësinë e punimeve.

Ai kritikoi gjithashtu modelin e financimit përmes koncesioneve dhe partneriteteve publike-private (PPP), duke pretenduar se këto projekte kanë rritur kostot dhe kanë zvarritur përfundimin e veprave.

Si shembull, ai përmendi Rrugën e Arbrit, për të cilën tha se kostoja ka kaluar nga rreth 267 milionë euro në mbi 400 milionë euro, ndërsa punimet kanë zgjatur disa vite.

Në përfundim, Dervishi kërkoi ndryshim të modelit të financimit të infrastrukturës, duke propozuar përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, auditimin e kontratave ekzistuese koncesionare dhe krijimin e një sistemi më transparent për projektet publike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related