Përfaqësuesit e transportit interurban në qytetin e Vlorës kanë dalë këtë të hënë në një protestë paqësore në hyrje të qytetit, në segmentin që lidh rrugën Transballkanike me autostradën e Vlorës. Ata kundërshtojnë vendimin për zhvendosjen e vendqëndrimit të autobusëve në një pikë të re, që sipas tyre nuk plotëson asnjë standard sigurie.
Shoferët shprehen se ndalesa e re është e papërshtatshme dhe e rrezikshme, pasi pasagjerët dhe bagazhet zbarkohen buzë rrugës, duke krijuar rrezik të shtuar për aksidente. Sipas tyre, mungojnë kushtet minimale infrastrukturore për ta konsideruar atë një stacion funksional.
“Ne nuk jemi kundër rregullave, por kërkojmë siguri. Këtu na rrezikohet jeta çdo ditë. Nuk ka as sinjalistikë, as hapësirë të dedikuar për ndalesë”, u shpreh një nga drejtuesit e linjave.
Protestuesit theksojnë se Vlora mbetet i vetmi qytet i madh pa një terminal të mirëfilltë për transportin interurban. Ata kërkojnë ndërtimin e një terminali me kushte të përshtatshme për pasagjerët dhe operatorët, duke paralajmëruar se do të vijojnë pezullimin e punës deri në zgjidhjen e situatës.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre është se vendqëndrimi i mëparshëm është zënë nga taksi dhe mjete të palicencuara, të cilat sipas shoferëve u marrin pasagjerët në mënyrë të paligjshme.
Shoferët bëjnë thirrje për dialog me autoritetet vendore dhe zgjidhje të menjëhershme, duke theksuar se prioriteti i tyre është siguria e qytetarëve dhe funksionimi normal i shërbimit të transportit.
