Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Spanjë pas disa vitesh arrati. Bëhet fjalë për Adrian Ogiçi, 40 vjeç, i dënuar me 20 vite burg për rrëmbimin dhe zhdukjen e Ridvan Lamaj.
Sipas policisë, arrestimi u bë i mundur falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim. Ogiçi ishte në kërkim për veprat penale “Rrëmbimi i personit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.
Ngjarja për të cilën ai u dënua daton në qershor të vitit 2015, kur Ridvan Lamaj, baba i dy fëmijëve, u rrëmbye në qytetin e Sarandës dhe që prej asaj kohe nuk është gjetur më.
Në vitin 2017, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë dy persona për këtë rast, duke i dënuar në total me 39 vite burg. Njëri prej tyre mori 19 vite dënim, ndërsa Ogiçi u dënua me 20 vite, por kishte arritur t’i shmangej drejtësisë deri tani.
Sipas hetimeve të prokurorisë, rrëmbimi dyshohet të ketë lidhje me prishje të pazareve të drogës. Viktima mendohet të ishte përfshirë si korrier, ndërsa zhdukja e një sasie lënde narkotike mund të ketë çuar në rrëmbimin e tij.
Autoritetet shqiptare pritet të nisin procedurat për ekstradimin e Ogiçit drejt Shqipërisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia.
