Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që ai të mos qëndrojë në kafazin e xhamit gjatë seancave gjyqësore.
Beqaj e cilëson vendimin si të drejtë dhe me rëndësi më të gjerë se çështja e tij personale, duke theksuar se në sallën e gjyqit autoriteti vendimmarrës duhet të jetë vetëm gjykata, ndërsa strukturat e sigurisë kanë detyrimin të zbatojnë vendimet e saj.
Sipas tij, përdorimi i “kafazit të sigurisë” cenon drejtpërdrejt të drejtën për mbrojtje efektive, pasi kufizon komunikimin mes të pandehurit dhe avokatit dhe pengon pjesëmarrjen reale në proces. Ai argumenton se konsultimet gjatë seancës bëhen të vështira për shkak të pengesave fizike, akustike dhe procedurale.
Beqaj kundërshton edhe qëndrimet e disa prokurorëve se kjo praktikë nuk ndikon në mbrojtje, duke theksuar se një proces i rregullt kërkon komunikim të lirë dhe të vazhdueshëm mes të pandehurit dhe mbrojtësit të tij.
Ai shton se në një proces penal, i akuzuari nuk duhet të trajtohet si spektator, por si subjekt aktiv që ka të drejtë të kuptojë, të reagojë dhe të bashkëpunojë me avokatin në çdo moment.
Në përfundim, Beqaj nënvizon se vendimi i gjykatës nuk përbën privilegj, por zbatim të standardeve të procesit të rregullt ligjor dhe të parimit të barazisë së armëve mes palëve në gjykim.
