Tabaku nga SHBA: Shqipëria po bën hapa pas, asnjë kompromis me sigurinë kombëtare

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, së bashku me deputetë të tjerë opozitarë, mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u zhvilluan takime dhe diskutime me kongresmenë amerikanë dhe përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor mbi sfidat aktuale të sigurisë.

Në një deklaratë publike, Tabaku theksoi se gjatë konferencës u identifikuan tre shtylla kryesore si elementë thelbësorë të sigurisë kombëtare: siguria ekonomike, procesi i integrimit europian dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike. Sipas saj, këto fusha nuk mund të trajtohen më thjesht si politika zhvillimi, por si çështje të drejtpërdrejta të sigurisë kombëtare.

Deputetja demokrate u shpreh se Shqipëria, fatkeqësisht, ka shënuar hapa pas në këto drejtime gjatë viteve të fundit, duke rrezikuar seriozisht besueshmërinë e saj si vend anëtar i NATO-s dhe si partner strategjik i aleatëve perëndimorë. Ajo theksoi se vendi duhet të ketë mekanizma të fortë kontrolli mbi kapitalet që hyjnë në ekonomi dhe të orientojë investimet vetëm drejt burimeve të sigurta dhe perëndimore.

“Siguria ekonomike është siguri kombëtare, integrimi europian është siguri kombëtare dhe infrastruktura kritike është siguri kombëtare. Shqipëria nuk duhet të ketë asnjë kompromis në këto fusha,” u shpreh Tabaku.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se problematika të tilla si dobësitë në mbrojtjen e të dhënave personale dhe depërtimi i rrjeteve kriminale dëmtojnë rëndë imazhin e vendit dhe marrëdhëniet me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara.

Në përfundim, Tabaku bëri me dije se në konferencë u përcoll një mesazh i fortë për mbështetjen e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, një qëndrim që sipas saj gjen mbështetje të gjerë në Kongresin dhe administratën amerikane.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related