Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm rreth orës 09:15 në aksin nacional Gjirokastër–Tepelenë, ku janë përfshirë dy automjete.
Sipas informacionit paraprak, në përplasje janë përfshirë një automjet tip BMW dhe një Renault Clio, duke shkaktuar plagosjen e tre personave. Për shkak të dëmtimeve të rënda të mjetit, shërbimi zjarrfikës u detyrua të ndërhyjë duke prerë derën e automjetit Renault Clio, për të nxjerrë drejtuesin e tij, shtetasin Klevant Vasi.
Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për ndihmë mjekësore dhe, sipas burimeve zyrtare, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa qarkullimi në zonë ka pasur vështirësi të përkohshme.
