Deputeti socialist Erion Braçe ka artikuluar kritika të forta ndaj mënyrës së drejtimit të Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se kryeqyteti ka nevojë për një ndryshim rrënjësor në qeverisje dhe trajtimin e problemeve.
Gjatë një interviste televizive, Braçe u shpreh se Tirana nuk mund të trajtohet si “qokë politike” apo si shpërblim për karrierë, duke kundërshtuar qasjen sipërfaqësore se “Tirana fitohet vetë”. Sipas tij, një qytet me peshën dhe kompleksitetin e kryeqytetit kërkon vizion, përgjegjësi dhe angazhim serioz, jo emërime të bëra me logjikë elektorale.
“Ky ndryshim radikal nuk bëhet duke e menduar bashkinë e Tiranës si qokë. Mendimi ‘Tiranën e fitojmë’ dhe hajde vendosim një atje, nuk sjell zgjidhje reale për qytetin dhe qytetarët”, u shpreh Braçe.
Ai theksoi se problemet e Tiranës kërkojnë zgjidhje konkrete dhe një mënyrë krejt tjetër qeverisjeje, duke lënë të kuptohet se edhe brenda mazhorancës ka pakënaqësi për mënyrën se si është drejtuar kryeqyteti.
