U rihap TikTok-u pas një viti bllokim, qeveria heq masën pa dhënë sqarime të detajuara

Data

Pas rreth një viti bllokim, qeveria ka vendosur të rihapë rrjetin social TikTok në të gjithë territorin e Shqipërisë. Vendimi u miratua sot nga Këshilli i Ministrave, duke shfuqizuar masën e ndërprerjes së aksesit që ishte vendosur më 13 mars 2025.

Bllokimi i TikTok-ut u mor pak muaj pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, një ngjarje e rëndë që sipas autoriteteve kishte lidhje me një konflikt të nisur në këtë platformë. Asokohe, qeveria e cilësoi masën si të përkohshme, duke deklaruar se aplikacioni do të rihapej pasi të arrihej dakordësi me kompaninë për vendosjen e filtrave mbrojtës, veçanërisht për të miturit.

Në vendimin e sotëm thuhet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për heqjen e masave të bllokimit dhe rikthimin e plotë të aksesit në platformë, duke respektuar legjislacionin për sigurinë publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Megjithatë, vendimi për rihapjen e TikTok-ut nuk shoqërohet me sqarime konkrete nëse janë përmbushur kushtet e paralajmëruara më herët nga qeveria, si vendosja e filtrave apo mekanizmave shtesë të kontrollit të përmbajtjes.

Kujtohet se në kohën e bllokimit, rreth 20 organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e kritikuan ashpër vendimin e qeverisë, duke e cilësuar atë si një “kufizim ekstrem” të lirisë së shprehjes. Ato theksuan se mbyllja e platformës në një periudhë parazgjedhore dëmtoi komunikimin politik, veçanërisht me të rinjtë, dhe kufizoi aksesin e qytetarëve në informacion të larmishëm.

Organizatat ngritën gjithashtu shqetësime për mungesën e transparencës dhe për procesin e konsultimit të pretenduar nga qeveria me prindër dhe mësues, duke vënë në dyshim vlefshmërinë dhe gjithëpërfshirjen e tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related