Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka sulmuar ashpër qeverinë nga foltorja e Kuvendit, duke e akuzuar për humbje totale të realitetit dhe përhapje të propagandës boshe, ndërsa vendi përballet me probleme bazë.
Sipas Topallit, qeveria flet për satelitë, Smart City, prodhim armësh dhe projekte madhore, ndërkohë që në urgjencat e spitaleve mungon energjia elektrike dhe gjeneratorët nuk funksionojnë. Ajo e cilësoi këtë si “hendek moral të pushtetit”, ku fjalët e mëdha për zhvillim bien ndesh me jetën e përditshme të qytetarëve.
Topalli theksoi se korrupsioni nuk është më thjesht akuzë politike, por është bërë i dukshëm në infrastrukturë: rrugë që çahen pak muaj pas ndërtimit dhe tunele që pikojnë ende pa u hapur. Sipas saj, këto nuk janë pasoja të shirave apo trafikut, por të një modeli qeverisjeje të ndërtuar mbi tendera dhe jo mbi sigurinë e jetës njerëzore.
Ajo nënvizoi se pensionet në Shqipëri janë ndër më të ulëtat në Europë, ndërsa qytetarët “numërojnë qindarka” dhe pushteti numëron projekte imagjinare. Në të njëjtën linjë, Topalli akuzoi qeverinë se po përdor edhe dixhitalizimin si fasadë, duke përqendruar miliona euro përmes AKSHI-t në një rreth të ngushtë të lidhur me pushtetin.
Sipas saj, arrestimet dhe hetimet ndaj ministrave dhe zyrtarëve të lartë nuk janë rastësi, por tregues i një sistemi të kalbur, ku korrupsioni është kthyer në normë dhe jo përjashtim.
