Bllokimi i KKTU për 4 muaj paralizon ndërtimin, Banka e Shqipërisë sinjalizon rënie të besimit në sektor

Data

Mosmbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) prej katër muajsh ka krijuar një situatë bllokimi në sektorin e ndërtimit, duke shtyrë dhjetëra projekte private dhe publike në vend.

Mbledhja e fundit e KKTU-së është zhvilluar më 23 tetor të vitit të kaluar, ndërsa që nga ajo kohë ky institucion nuk është mbledhur më. Sipas raportimeve, arsyeja lidhet me situatën e krijuar pas problemeve të ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, me drejtësinë.

Bllokimi i këtij institucioni ka ndikuar drejtpërdrejt në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit, duke detyruar qindra biznese të shtyjnë projektet e tyre. Situata nuk ka prekur vetëm ndërtimin e kullave dhe resorteve turistike, por edhe projekte të rëndësishme publike që kërkojnë miratim nga KKTU.

Efektet e kësaj situate kanë nisur të reflektohen edhe në treguesit ekonomikë. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, sektori i ndërtimit ka shënuar rënien më të madhe të optimizmit, me indeksin e besimit që është ulur me më shumë se 6 pikë përqindje.

Megjithatë, niveli i besimit në sektor mbetet ende mbi mesataren shumëvjeçare, falë vrullit të madh të aktivitetit ndërtimor në vitet e fundit.

Për shkak të volumit të lartë të projekteve, KKTU ishte konsoliduar si një strukturë që mblidhej rregullisht, shpesh deri në dy herë në muaj. Por pas marrjes si të pandehur të Belinda Ballukut nga SPAK në nëntor të vitit të kaluar, mbledhjet e këtij institucioni u bllokuan.

Ndërkohë, ndryshimet e fundit në qeveri pritet të sjellin edhe zhbllokimin e situatës. Kryeministri Edi Rama ka zëvendësuar Belinda Ballukun në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me Enea Karakaçin.

Sipas burimeve, KKTU pritet të mblidhet sërish në ditët në vijim për të shqyrtuar projektet e mbetura pezull.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related