Kërkon kujdestarinë / Skandali me 3 fëmijët në Durrës, babai padit nënën në gjykatë dhe paraqet prova financiare e sociale

Data

Denis Hajmerraj, babai i tre fëmijëve të mitur që u gjetën në kushte të rënda higjeno-sanitare në Durrës, i është drejtuar Gjykatës së Durrësit duke kërkuar marrjen e kujdestarisë së plotë për fëmijët.

Sipas burimeve, kërkesë–padia është depozituar zyrtarisht në sekretarinë e gjykatës, ku Hajmerraj kërkon heqjen e kujdestarisë nga nëna e fëmijëve, Blerina Basha, dhe kalimin e saj tek ai.

Në padinë e tij, babai ka paraqitur një sërë pretendimesh të shoqëruara me dokumente dhe prova, duke argumentuar se ish-bashkëshortja nuk është në gjendje fizike, emocionale, sociale dhe ekonomike për t’u kujdesur dhe për të prindëruar tre fëmijët e mitur.

Si pjesë e dosjes, Hajmerraj ka depozituar edhe fatura financiare nga institucione arsimore në Brescia, Itali, ku sipas tij fëmijët kanë ndjekur rregullisht shkollën gjatë periudhës që kanë jetuar me të.

Gjithashtu, në gjykatë janë dorëzuar video dhe materiale nga rrjetet sociale, ku pretendohet se nëna e fëmijëve kalon kohë të konsiderueshme në transmetime “live” në platforma sociale, në vend që të kujdeset për ta.

Një tjetër element i përfshirë në padi lidhet me udhëtimet e shpeshta jashtë shtetit të nënës, të cilat sipas babait janë kryer pa praninë e fëmijëve. Për këtë janë dorëzuar të dhëna nga sistemi TIMS, ku sipas pretendimit evidentohen dalje jashtë vendit pa fëmijët.

Në ditët në vijim pritet të hidhet shorti elektronik për përzgjedhjen e gjyqtarit që do të shqyrtojë çështjen e kujdestarisë.

Rasti i tre fëmijëve tronditi opinionin publik pasi ata u gjetën nga fqinjët në kushte të rënda higjieno-sanitare dhe rezultuan të prekur nga zgjebja. Më pas, ishte gjyshja e tyre ajo që bëri publikisht të ditura kushtet në të cilat jetonin, ndërsa u konstatua se fëmijët kishin mbi një muaj pa ndjekur shkollën.

Pas publikimit të rastit, nëna e fëmijëve u procedua penalisht nga policia për veprën e keqtrajtimit të të miturve. Ndërkohë, rasti ishte referuar më herët edhe nga psikologia e shkollës, por sipas raportimeve, institucionet vendore nuk kishin ndërmarrë masa deri në shpërthimin e skandalit në media.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related