Mbledhja e gjatë disaorëshe e grupit parlamentar të Partisë Socialiste është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje të drejtpërdrejta mes figurave të rëndësishme të mazhorancës.
Sipas burimeve, kryeministri Edi Rama ka pasur një debat të ashpër fillimisht me Elisa Spiropali, e cila ndërhyri gjatë diskutimeve dhe shfaqi pakënaqësi për mënyrën e komunikimit ndaj deputetëve.
Gjatë raportimit të drejtoreshës së Kadastrës, Lorena Goxhobelli, Spiropali mësohet se reagoi disa herë me komente dhe gjeste, duke ndërprerë në një moment diskutimin për të kërkuar më shumë respekt ndaj deputetëve. Situata u tensionua më tej gjatë prezantimit të ministres Eriona Ismaili, kur sjellja e Spiropalit u vu në dukje publikisht.
Në këtë moment ndërhyri Rama, i cili iu drejtua Spiropalit me tone të ashpra, duke i kërkuar të heshtë dhe duke paralajmëruar se mund ta nxjerrë jashtë mbledhjes nëse vijon ndërhyrjet.
Por tensioni nuk u ndal vetëm aty. Kryeministri iu kthye edhe Damian Gjiknuri, duke e akuzuar se regjistron dhe nxjerr biseda nga mbledhjet, ndërsa i kërkoi të fikte telefonin. Po ashtu, ai kritikoi edhe ish-ministrin Ervin Hoxha për sjellje të papërshtatshme jashtë mbledhjeve.
Mbledhja, e zhvilluar në Pallatin e Brigadave dhe që zgjati rreth gjashtë orë, kishte në fokus çështje organizative dhe strategjinë politike të mazhorancës, por u dominua nga këto përplasje të brendshme.
Këto episode tensioni tregojnë për një klimë të ngarkuar brenda Partisë Socialiste, në një moment kur vendi përballet me sfida politike dhe ekonomike, ndërsa mazhoranca duket se po përpiqet të ruajë disiplinën e brendshme përballë zhvillimeve të fundit.
