Konferenca e Kryetarëve / Balla paralajmëron PD-në: Nëse nuk i bashkoheni Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale, do të vazhdojmë pa ju

Data

Është zhvilluar sot Konferenca e parë e Kryetarëve të Kuvendit për vitin 2026. Gjatë mbledhjes, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu drejtua përfaqësuesve të Partisë Demokratike duke i akuzuar se po shkelin marrëveshjen e arritur në sesionin e kaluar parlamentar për bashkëpunim në Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale.

Reagimi i Ballës vjen pasi grupi parlamentar i PD-së është tërhequr nga komisionet përkatëse, në shenjë proteste pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit, proces që demokratët e kanë cilësuar si të padrejtë.

Balla bëri të qartë se nëse PD refuzon rikthimin në komisione, mazhoranca do të vijojë punën e saj edhe pa opozitën.

Ai theksoi se Partia Socialiste mbetet e gatshme për bashkëpunim, por nuk do të pranojë bllokimin e reformave. Sipas Ballës, tërheqja e PD-së nga komisionet përbën shkelje të njëanshme të marrëveshjes së mëparshme parlamentare.

Duke u ndalur te Reforma Zgjedhore, Balla deklaroi se Komisioni i Posaçëm duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, me theks të veçantë te depolitizimi i administratës zgjedhore. Ai kritikoi modelin aktual ku partitë politike jo vetëm garojnë, por edhe administrojnë e numërojnë votat.

Sipas Ballës, është e domosdoshme që rezultati zgjedhor të shpallet më shpejt dhe të shqyrtohet mundësia që numërimi i votave të kryhet drejtpërdrejt në qendrat e votimit, duke shmangur vonesat e gjata të deritanishme.

Ai nënvizoi se koha nuk pret më, sidomos në funksion të zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Balla shtoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor kërkojnë të paktën 84 vota në Kuvend, por mazhoranca synon një reformë më të thellë që përfshin edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve në 100 ose 101.

Në fund, Balla hodhi poshtë pretendimet e opozitës për mungesë të së drejtës së fjalës, duke theksuar se gjatë sesionit të kaluar parlamentar opozita ka pasur më shumë orë diskutimi në seancë plenare sesa shumica dhe qeveria.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related