Gjykata ka vendosur vijimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e IEVP Durrës, Indrit Cërloj, i arrestuar pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci. Vendimi u mor në seancën e sotme, ndërsa mbrojtja paralajmëroi ankim.
Avokati i Cërlojt u shpreh se masa është e padrejtë dhe se përgjegjësia në këtë rast është individuale, duke theksuar se klienti i tij nuk ka pasur rol aktiv në arratisjen e të paraburgosurit.
“Sot ishim në seancë për marrjen në pyetje të personit të arrestuar. Më parë ishte caktuar masa e arrestit në burg në mungesë dhe gjykata vendosi vijimin e saj. Jemi dakord që ka qenë një ngjarje e rëndë, por përgjegjshmëria është personale dhe çmojmë se kemi të bëjmë me një interpretim të gabuar të ligjit”, deklaroi avokati.
Sipas tij, akuza e vetme ndaj ish-drejtorit lidhet me faktin se nuk ka verifikuar personalisht nëse Altin Ndoci ishte vizituar nga mjeku i IEVP-së, përpara se të dërgohej në spitalin e Durrësit.
“Gjithë akuza ndaj drejtorit është se ka firmosur një shkresë për dërgimin e një të burgosuri për vizitë mjekësore dhe i kërkohet përse nuk ka verifikuar nëse ishte vizituar më parë nga mjeku i institucionit. Në momentin që mjeku firmos kartelën dhe rekomandimin për vizitë, merret e mirëqenë që kontrolli është kryer”, shtoi ai.
Mbrojtja bëri të ditur se vendimi do të ankimohet në instancat më të larta, duke këmbëngulur se ish-drejtori nuk mund të mbahet përgjegjës për veprime që, sipas tyre, nuk varen nga funksioni i tij.
