Prej më shumë se një jave vijojnë pa rezultat kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj, i cili dyshohet se u mor nga rrjedha e ujit pasi automjeti ku udhëtonte doli nga rruga dhe përfundoi në një përrua në fshatin Dars, Klos.
Ngjarja ndodhi më 10 janar 2026, kur mjeti që drejtohej nga 24-vjeçari Andi Losha humbi kontrollin dhe ra në përrua. Shoferi arriti të dalë nga automjeti dhe të shpëtojë, ndërsa pasagjeri, Jurgen Karaj, dyshohet se është marrë nga uji dhe përfunduar në lumin Mat.
Në operacionin e kërkimit janë angazhuar polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë së Shtetit, Forca Kombëtare e Sigurisë, forcat “Shqiponja”, shërbimet e Komisariateve Mat dhe Dibër, Mbrojtja nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forcat e Armatosura, si edhe familjarë e vullnetarë.
Kërkimet po zhvillohen përgjatë shtratit të lumit Mat dhe zonave përreth, nga të dyja anët e bregut, por deri tani nuk është gjetur asnjë shenjë që të çojë në lokalizimin e trupit të 30-vjeçarit.
Autoritetet bëjnë me dije se operacioni do të vijojë, ndërsa familjarët presin me ankth çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të të riut.
