Ndryshe flet, ndryshe vepron. Ky është portreti që, sipas kritikëve, del për Belinda Ballukun, zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila ndërsa akuzohet për afera shumë milionëshe, më herët shfaqej si simbol i “drejtësisë së hekurt” ndaj vartësve të saj.
Rreth një vit e gjysmë më parë, më 31 maj 2024, Balluku zbriti në Vlorë dhe kërcënoi publikisht punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve, duke u deklaruar se do t’i çonte në SPAK për abuzime në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve. Me tone të ashpra, ajo u shfaq si garante e ligjit, duke pretenduar se kishte zbuluar një skemë korruptive dhe se dosjet ishin gati për ndjekje penale.
Ironia, sipas akuzave të opozitës, është se sot vetë Balluku ndodhet nën akuza të rënda për përfshirje në afera korruptive që kapin shifrën e rreth 50 milionë eurove, përfshirë projektin e Tunelit të Llogarasë dhe çështje të tjera infrastrukturore. Ndërkohë që atëherë kërcënonte vartësit me largim nga puna dhe ndjekje penale, sot ajo refuzon të japë dorëheqjen, pavarësisht statusit të saj si e pandehur.
Në deklaratat e saj nga Vlora, Balluku u shprehej punonjësve se “dosjet nuk do të mbeteshin në sirtarë”, se SPAK do të vepronte dhe se secili prej tyre do të mbante përgjegjësi penale. Ajo fliste për “grup të strukturuar kriminal” dhe për abuzime që, sipas saj, rrezikonin furnizimin me ujë të qytetit në kulmin e sezonit turistik.
Por sot, kritikët theksojnë se pikërisht ajo që dikur kërcënonte të tjerët për korrupsion, akuzohet se ka ndërtuar bashkë me vartësit e saj skema për të përfituar miliona euro nga projektet publike. Një kontrast i fortë mes fjalëve dhe veprimeve, që sipas kundërshtarëve politikë përbën shembullin më flagrant të dy standardeve në qeverisje.
Ndërsa punonjësve të Ujësjellësit u thoshte se “i keni hyrë detit në këmbë”, sot akuzat ndaj saj përshkruhen si “një oqean abuzimesh”, shumë herë më i rëndë se pretendimet që ajo ngrinte ndaj vartësve.
Rasti ka rihapur debatin publik mbi përgjegjësinë politike dhe morale të zyrtarëve të lartë, duke ngritur pyetjen thelbësore: si mund të kërkosh llogari nga të tjerët, kur vetë je në qendër të akuzave për korrupsion madhor?
