Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të ndërhyjë në procesin e drejtësisë lidhur me çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se nuk ka ndërmend të shkelë “vijën e kuqe” që garanton pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se nuk do të bëjë rolin e avokatit të Ballukut dhe se nuk mund ta shpallë atë të pafajshme.
Sipas tij, vendimi për përgjegjësinë ose pafajësinë e saj i takon vetëm institucioneve të drejtësisë.
“Nuk kam ndërmend ta shpall të pafajshme apo të shkel vijën e kuqe duke e marrë në mbrojtje nga drejtësia. Kjo është një çështje që i takon ekskluzivisht avokatit, prokurorit dhe gjykatësit,” u shpreh Rama.
Megjithatë, kryeministri theksoi se nuk mund të lërë pa përmendur, sipas tij, transformimet e rëndësishme që janë bërë në sektorët që Balluku ka drejtuar gjatë kohës që ka qenë në qeveri.
Rama shtoi gjithashtu se Balluku do të vazhdojë të jetë pjesë e jetës politike si deputete e Partisë Socialiste, duke përfaqësuar qarkun e Fierit.
