Pas polemikave të fundjavës në “San Siro”, Lazio mori një revansh të artë ndaj Milanit, duke e mposhtur në “Olimpico” dhe siguruar kalimin në raundin tjetër të Kupës së Italisë. Mauricio Sarri, i lumtur por i rezervuar, tha se ky sukses kishte peshë të madhe psikologjike për skuadrën.
“Na dha shumë kënaqësi të shihnim mbi 40 mijë tifozë në ‘Olimpico’. Jam i lumtur për ta dhe për djemtë. Të shtunën i pashë të dëshpëruar dhe të poshtëruar. Të eliminish Milanin në një ndeshje me eliminim direkt është gjithmonë diçka e rëndësishme,” – deklaroi trajneri bardhekaltër për Sport Mediaset.
Sarri pranoi se Lacion e kanë shoqëruar vështirësi të mëdha që nga verës, përfshirë dëmtimet e shumta, por theksoi se grupi ka treguar shpirt pune dhe karakter.
“Këto situata më pëlqejnë. Dëmtime kemi pasur shumë, por skuadra punon mirë gjatë javës. Unë argëtohem në stërvitje, ndonjëherë të dielave zemërohem sepse teknikisht kemi diçka më pak se skuadrat e tjera,” – shtoi ai.
Trajneri u ndal edhe te forma e Basic, i cili ka qenë një nga më të mirët së fundmi:
“Ka ardhur me pritshmëri të mëdha. Më pas u humbi pak, por nuk kam pasur dyshim ta rikthej. Po na shpërblen dhe në aspektin taktik është ndër më të besueshmit.”
Në lidhje me fazën e dytë të sezonit, Sarri shprehu qasje pragmatike:
“Duhet të vazhdojmë të punojmë. Nëse në fund të sezonit kuptojmë se kemi 7-8 lojtarë bazë, mbi të cilët mund të shtojmë 2-3 me cilësi, atëherë kemi bërë shumë. Pesë muajt e ardhshëm do të jenë punë e pastër.”
Trajneri italian mbylli me ton serioz: Lazio nuk ka kohë të festojë, sepse të dielën e pret një tjetër sfidë e vështirë në kampionat.
