Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka shpërndarë një video nga komunikimet e tij me qytetarët, në kuadër të ‘Foltores’ së radhës.
Në video, Berisha shprehet se qëndrimi ose largimi nga pushteti i kryeministrit varet drejtpërdrejt nga reagimi i opozitës dhe qytetarëve.
“Nëse e lejojmë ne, palloshi i gjatë qëndron edhe 12 vite në pushtet. Qëndrimi ose mosqëndrimi i tij përcaktohet nga reagimi ynë si opozitë. Do të ngrihemi dhe do të kemi mbështetje më të madhe,” deklaron Berisha.
Postimi i tij është shoqëruar edhe me një mesazh të drejtpërdrejtë, ku thekson se opozita, sipas tij, gëzon një mbështetje të shtuar nga faktori ndërkombëtar.
“Mbështetja ndërkombëtare për opozitën shqiptare nuk ka qenë kurrë më e madhe se sot. Prandaj, na takon ta shohim këtë mbështetje si një thirrje për revoltë kundër narko-regjimit,” shkruan Berisha.
