Bashkimi Evropian ka arritur një marrëveshje të rëndësishme politike dhe financiare, duke miratuar një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, pa përdorur asetet e ngrira ruse, një çështje që kishte shkaktuar përçarje mes vendeve anëtare.
Vendimi u mor pas më shumë se një dite bisedimesh intensive në samitin e mbajtur në Bruksel, ku udhëheqësit e BE-së synuan të gjenin një zgjidhje që të garantonte mbështetje afatmesme për Kievin, pa rrezikuar unitetin e bllokut.
“Mbaruam atë që premtuam”, shkroi në rrjetin X Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke njoftuar se kredia do të mbështetet nga buxheti i përbashkët i BE-së dhe do të mbulojë nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës për dy vitet e ardhshme.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte kërkuar më herët që BE-ja të përdorte rreth 200 miliardë euro nga asetet e ngrira ruse, por kjo ide hasi rezistencë të fortë, veçanërisht nga Belgjika, ku mbahet pjesa më e madhe e këtyre fondeve. Autoritetet belge kërkuan garanci të forta ligjore për ndarjen e përgjegjësisë, gjë që rezultoi e papranueshme për disa vende anëtare.
Në këtë kontekst, Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se do të ishte “e dobishme” që Evropa të riangazhohej në dialog me Presidentin rus Vladimir Putin, duke theksuar se duhet gjetur një kornizë e përshtatshme për rifillimin e bisedimeve në javët në vijim.
Nga ana tjetër, Kryeministri belg Bart De Wever theksoi se marrëveshja për kredinë shmangu “kaosin dhe përçarjen” brenda BE-së, duke nënvizuar se vendimi për të huazuar fonde në vend të përdorimit të aseteve të ngrira ruse ruajti unitetin e bllokut.
“Ne mbetëm të bashkuar”, deklaroi ai.
Sipas vlerësimeve të BE-së, Ukrainës i nevojiten rreth 135 miliardë euro shtesë për të mbijetuar gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa një krizë serioze e parave kesh pritet të nisë që në muajin prill.
Edhe Kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili kishte mbështetur idenë e përdorimit të aseteve ruse, deklaroi se vendimi final për kredinë “i dërgon një sinjal të qartë Putinit”. Ndërkohë, Rusia kishte paralajmëruar BE-në të mos prekte fondet e saj të ngrira.
Në të njëjtën linjë, Kryeministri polak Donald Tusk u shpreh se Evropa duhet të “ngrihet në lartësinë e situatës” përballë sfidave historike.
Marrëveshja i ofron Ukrainës një “litar shpëtimi” jetik, në një moment kritik diplomatik, teksa Presidenti amerikan Donald Trump po ushtron presion për një marrëveshje të shpejtë që do t’i jepte fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
