Sali Berisha, 80 vjeç, garon në zgjedhjet e 11 majit si kandidat për kryeministër duke kërkuar një rikthim për herë të tretë në pushtet, pasi shërbeu si president i vendit në vitet 1992-1996 dhe si kryeministër nga 2005-2013-ën.
Partia Demokratike përjetoi një përçarje të fortë gjatë viteve të fundit dhe Berisha, një themelues i saj, luftoi për të rimarrë drejtimin pasi e gjeti veten të përjashtuar nga partia pas sanksionimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si person “Non grata”.
Pas sanksionimit nga administrata Biden ai u mor nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion, ndërsa të dyja ngjarjet i cilësoi si të nxitura politikisht, duke akuzuar kundërshtarin politik Edi Rama për një komplot me miliarderin amerikan Xhorxh Soros.
Pas ardhjes së administratës së re amerikane, Berisha jo vetëm po shpreson në heqjen e këtij sanksioni, por po tenton të krijojë për veten dhe partinë e tij imazhin e konservatorizmit duke importuar tezat dhe sloganet e fushatës së presidentit Donald Trump dhe lëvizjes së tij ‘MAGA’.
Në këtë frymë punësoi si strateg të fushatës së PD-së, me një kontratë që ende nuk është transparente, një nga këshilltarët e fushatës së Trump, Chris LaCivita. Në daljen e vetme publike në Tiranë, LaCivita e quajti Berishën “një mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara dhe i cili do të punojë me sukses me Presidentin Trump” ndërsa kryeministrin Edi Rama si “marionetë e Soros”.
