Aktivisti në protestën e 40-të: Qytetarët nuk do të ndalen pavarësisht presioneve

Data

Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të 40-të radhazi, ndërsa qytetarët janë mbledhur edhe këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të vijuar marshimin e tyre.

Një nga aktivistët pjesëmarrës në protestë deklaroi se ka qenë i pranishëm në tubime që nga dita e parë, duke theksuar se pjesëmarrësit mbeten të vendosur pavarësisht kushteve atmosferike.

“Kam qenë për 40 ditë me radhë në protestë. Protesta po zhvillohet edhe në kushte të vështira atmosferike, por qytetarët nuk do të ndalojnë,” u shpreh ai.

Aktivisti kritikoi gjithashtu gjuhën e përdorur, sipas tij, nga kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës ndaj protestuesve.

“Më shumë problem se vapa është gjuha denigruese e kryeministrit, ministrave dhe eksponentëve të tjerë të Partisë Socialiste. Është një zhargon që nuk e kishim dëgjuar prej dekadash, me terma si armiq dhe agjentura,” deklaroi ai.

Në vijim, ai bëri një krahasim me periudhën e diktaturës komuniste, duke pretenduar se retorika aktuale politike është përshkallëzuar.

“Gjatë diktaturës së Enver Hoxhës flitej për disa agjentura. Sot po flitet për edhe më shumë agjentura,” tha aktivisti.

Në përfundim të prononcimit të tij, ai komentoi edhe akuzat ndaj shqiptarëve nga rajoni që kanë marrë pjesë në protesta.

“Edhe bashkëkombësit tanë nga trojet shqiptare po konsiderohen si agjentura. Pavarësisht shpifjeve dhe baltës, qytetarët vazhdojnë të dalin në protestë dhe kanë një vullnet të jashtëzakonshëm,” u shpreh ai.

Ndërkohë, protesta e 40-të po vijon në kryeqytet, me qytetarët që pritet të marshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke përsëritur kërkesat e tyre për ndryshim politik dhe institucional.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related