Gjatë ditës së sotme, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Sipas parashikimeve të SHMU-së, moti do të karakterizohet nga vranësira mesatare dhe të dendura, të shoqëruara me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të territorit.
Në zonën veriperëndimore, kryesisht në qarkun e Shkodrës, deri në orët e mesditës priten reshje me intensitet mesatar deri të lartë, në formën e shtrëngatave të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Nga orët e pasdites deri në mbrëmje vonë, në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër reshjet e shiut do të jenë më intensive, duke u shfaqur në formën e rrebesheve dhe shtrëngatave.
Në zonën e Alpeve dhe në relievet malore mbi 1500 metra lartësi, kryesisht në verilindje të vendit, priten reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar.
Era do të fryjë nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare rreth 12 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe bregdetare, veçanërisht në jug, pritet të arrijë deri në 24 m/s.
Deti do të jetë i trazuar me valëzim të forcës 4 deri në 6 ballë.
Temperaturat do të mbeten relativisht të buta për këtë periudhë, duke u luhatur nga vlera të ulëta në zonat malore deri në rreth 16°C në zonat e ulëta dhe bregdetare.
