Tritoli u la 2 ditë i pashpërthyer te sahati elektrik/ Zbardhen detaje nga atentati në Shkodër: E montoi mbrëmjen e 27 dhjetorit

Data

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me tritol në Shkodër, ku humbi jetën 67-vjeçari Hysni Ymeri. Hetimet kanë zbuluar se lënda shpërthyese ishte vendosur dy ditë para se të aktivizohej, në boksin e sahatëve të energjisë elektrike të pallatit ku banonte viktima.

Sipas policisë, Gerti Bushati është identifikuar si autori që ka montuar tritolin. Ai është filmuar nga një kamerë sigurie e një biznesi pranë pallatit, teksa mbrëmjen e datës 27 dhjetor vendos lëndën shpërthyese në sahatin elektrik të katit të parë.

Shpërthimi ndodhi më 29 dhjetor 2025, në momentin kur Hysni Ymeri po ngjitej shkallët për të hyrë në banesë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Nga hetimet dhe analiza e disa kamerave të sigurisë është zbuluar itinerari i lëvizjes së autorëve, çka ka çuar në arrestimin e katër personave: Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.

Motivi i atentatit vijon të mbetet i paqartë. Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar 28 telefona celularë, një automjet tip “Mercedes-Benz”, municion, sasi lënde narkotike (kokainë), pajisje GPS, kamera sigurie si dhe veshje të përdorura nga autorët e dyshuar.

Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe një pistë të mundshme gjakmarrjeje. Në vitin 1995, në lagjen Kiras, vëllai i Hysni Ymerit vrau Shefqet Çekorjen. Autori u arrestua dhe u dënua, ndërsa më vonë familjet thuhet se u pajtuan. Shefqet Çekorja ishte vëllai i Ismet Çekores, i cili u ekzekutua në shtator të vitit 2022 pranë banesës së tij.

Pak ditë para atentatit, në Shkodër kishte ardhur edhe djali i viktimës, Alban Ymeri, i cili jeton jashtë vendit. Ai ka deklaruar se familja nuk kishte konflikte dhe nuk kishte marrë kërcënime.

Të arrestuarit kanë refuzuar të japin deklarime gjatë marrjes në pyetje. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ata janë mbajtur së bashku në një ambient të monitoruar, me qëllim identifikimin e porositësit të atentatit, i cili ende nuk është zbuluar.

Të ndaluarit pritet të njihen me masën e sigurisë gjatë ditës së hënë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related