Një hotel luksoz në Alpet franceze, Hotel des Grandes Alpes, u përfshi nga flakët mbrëmjen e së martës, duke shkaktuar panik mes pushuesve dhe duke detyruar evakuimin e menjëhershëm të dhjetëra personave.
Si pasojë e tymit të dendur dhe rrezikut nga zjarri, mbi 90 persona u nxorën nga ambientet e hotelit gjatë natës. Autoritetet lokale, për arsye sigurie, vendosën të mërkurën edhe evakuimin e hotelit fqinj Hotel Le Lana, ku ndodheshin rreth 200 pushues së bashku me stafin, të cilët u strehuan në struktura të tjera hoteliere të zonës.
Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 131 zjarrfikës, të cilët po punojnë në kushte të vështira për shkak të terrenit malor dhe temperaturave të ulëta.
Autoritetet franceze kanë rritur masat e sigurisë në zonat alpine, pas një zjarri tragjik të ndodhur natën e Vitit të Ri në një resort në Zvicër, ku humbën jetën dhjetëra persona.
Shkaqet e zjarrit janë ende nën hetim, ndërsa deri tani nuk raportohet për viktima.
