Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në News24 në Ditën e Rinisë, 8 dhjetorin që shënon nisjen e rënies së komunizmit në Shqipëri, deklaroi se rinia shqiptare sot jeton në një realitet larg demokracisë së vërtetë dhe më pranë një regjimi që sipas tij “i blen, i përdor dhe i detyron njerëzit të largohen nga vendi”.
Lubonja tha se data 8 dhjetor duhej të ishte një ditë proteste, jo thjesht simbolike. Sipas tij, rinia duhet të kërkojë vetë hapësirat që pushteti ua ka mbyllur.
“Jetojmë në një regjim që i mpak njerëzit, i poshtëron, i blen, i përdor, i dërgon jashtë. Në komunizëm 1 maji apo 8 marsi festoheshin si ditë gëzimi, ndërsa në demokraci ato janë ditë protestash. Edhe 8 dhjetori tek ne duhet të ishte kështu. Ne flasim për themelet e demokracisë, por çfarë kemi hedhur realisht?” – u shpreh ai.
Lubonja theksoi se të rinjtë duhet të krijojnë vetë hapësirat e tyre, duke filluar nga universitetet, që sipas tij janë shndërruar nga qendra progresi në institucione të shuara nga konformizmi.
“Hapësirat duhen krijuar në kokë. Kur ke pasion dhe dëshirë për liri, i krijon vetë hapësirat. Nuk është demokraci kjo që jetojmë. Të rinjtë duhet të jenë ata që kërkojnë lirinë dhe aktivizimin politik, jo ta presin të vijë nga lart.”
Në lidhje me thirrjet e opozitës që rinia të bashkohet në protestat kundër qeverisë, Lubonja tha se rinia nuk ka pse të presë orientim nga partitë politike, por duhej të ishte tashmë në shesh për skandalin e 50 milionë eurove në Tunelin e Llogarasë.
“Është një thirrje nga njerëz që nuk kanë më besim real. Mungon përfshirja e vërtetë e rinisë në parti dhe në politikë. Por unë them se rinia duhej të ishte vetë në shesh. Për 700 mijë euro më parë populli doli para kryeministrisë. Sot bëhet fjalë për 50 milionë dhe populli është indiferent.”
Ai theksoi se sot shoqëria shqiptare ka humbur ndjeshmërinë ndaj skandaleve dhe padrejtësive.
“Më duket sikur jemi të gjithë në një teatër. Ndjeshmëria është humbur. Njeriu është reduktuar në atë sa fiton, sa merr, vetëm tek buka e gojës. Kjo është fatkeqësi.”
Lubonja përfundoi se shpresonte që rinia të rizbulonte rolin e saj si forcë transformuese, siç ndodhi në dhjetorin e vitit 1990, por shtoi se realiteti i sotëm tregon një shoqëri të lodhur, të zhgënjyer dhe pa besim te politika.
