Kushtet e pafavorshme atmosferike dhe dallgët e forta kanë krijuar vështirësi serioze në Portin e Vlorës, i cili vijon të mbetet i ekspozuar ndaj motit të keq. Kalata ku ankorohen tragetet paraqet rrezik për përplasjen e mjeteve lundruese sa herë që deti është me dallgë.
Megjithatë, trageti “European Star” ka arritur të hyjë sot në kalatat e portit me ndihmën e rimorkiatorëve, duke shmangur çdo incident.
Sipas njoftimit zyrtar, trageti pritet të niset drejt Italisë, ndërsa procesi i imbarkimit do të nisë menjëherë. Rreth 1000 pasagjerë pritet të udhëtojnë me këtë linjë detare.
Ndërkohë, kompania e lundrimit ka bërë të ditur se gjatë ditës së nesërme do të njoftojë pasagjerët për çdo ndryshim të mundshëm të orarit, pasi parashikimet meteorologjike tregojnë për përkeqësim të mëtejshëm të motit.
