Vijon fluksi i shtuar i qarkullimit në Pikën Kufitare të Kontrollit Morinë–Vërmicë, si pasojë e kthimit masiv të qytetarëve pas përfundimit të pushimeve të fundvitit.
Gjatë 24 orëve të fundit, në hyrje të territorit janë regjistruar 14 917 shtetas që kanë udhëtuar me 4 487 automjete, ndërsa në dalje janë evidentuar 17 026 shtetas me 4 993 automjete.
Kalimi i pushimeve në zonat turistike të Kosovës, si Rugova, Brezovica, Prizreni dhe Gjakova, ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e lëvizjeve në këtë pikë kufitare. Vetëm gjatë kësaj periudhe kanë kaluar rreth 17 mijë qytetarë drejt Kosovës, ndërsa afro 15 mijë kanë hyrë në territorin e Shqipërisë.
Fluksi pritet të vijojë i lartë edhe gjatë ditëve në vijim, për shkak të rikthimit të emigrantëve drejt vendeve ku jetojnë dhe punojnë, si dhe lëvizjeve sezonale të pushuesve.
Autoritetet kufitare bëjnë me dije se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur radhët dhe për të lehtësuar procedurat e kalimit. Aktualisht janë funksionale 12 sportele, si në hyrje ashtu edhe në dalje, duke synuar një qarkullim sa më të shpejtë dhe të sigurt për qytetarët.
