“E kam takuar disa herë”/ Karçanaj pranon takimet me Agasin, mohon favorizime në tendera

Data

Mirlinda Karçanaj ka pranuar para hetuesve të SPAK se ka zhvilluar disa takime me shtetasin Ergys Agasi në zyrën e këtij të fundit, por ka mohuar në mënyrë kategorike çdo favorizim ndaj tij apo ndaj Ermal Beqirit në procedurat e tenderimit.

Në deklarimin e saj, Karçanaj ka theksuar se nuk mban marrëdhënie shoqërore me operatorë ekonomikë jashtë ambienteve zyrtare. Sipas saj, ajo nuk shoqërohet, nuk pi kafe dhe nuk zhvillon takime informale me biznesmenë jashtë institucionit që drejton.

Megjithatë, ajo ka pranuar se ka pasur raste takimesh në zyrën e Ergys Agasit, të cilin e përshkruan si një njohje të vjetër dhe mik. Karçanaj shpjegon se këto takime kanë qenë për çështje private dhe jo në funksion të detyrës së saj publike.

Sipas dëshmisë, në një prej këtyre takimeve Agasi i ka kërkuar mendim për një zgjidhje teknike, në kuadër të një partneriteti që ai synonte të krijonte me një kompani izraelite. Në të njëjtin ambient ka qenë i pranishëm edhe Ermal Beqiri, të cilin Karçanaj e cilëson si prezent rastësisht dhe jo pjesë të diskutimit.

Ajo shton se Beqirin e ka takuar vetëm një herë jashtë AKSHI-t, ndërsa takimet e tjera kanë qenë brenda institucionit dhe në kuadër të punës zyrtare. Karçanaj këmbëngul se asnjë nga këto takime nuk ka ndikuar në vendimmarrjen e saj apo në procedurat e prokurimit publik.

Megjithatë, fakti që takimet janë zhvilluar në zyrën e Ergys Agasit mbetet në fokus të hetimeve, veçanërisht në kushtet kur, sipas dosjes hetimore, pikërisht në këto ambiente dyshohet se janë diskutuar edhe çështje që lidhen me tendera dhe vlera financiare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related