Opozita do të zhvillojë pasditen e sotme një protestë përpara Kryeministrisë, e thirrur nga Partia Demokratike. Tubimi pritet të nisë në orët e mbrëmjes dhe të përqendrohet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, ka vendosur të mos jetë pjesë e protestës përpara Kryeministrisë. Fillimisht, përkrahësit e kësaj lëvizjeje ishin pozicionuar në të njëjtin vend, por pas vendimit të PD për të zhvilluar aty protestën, Lapaj ka zgjedhur të zhvendosë tubimin.
Protesta e “Shqipëria Bëhet” do të mbahet pranë zonës së Bunkerit, në qendër të Tiranës. Lapaj ka theksuar se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar: protestë qytetare, pa logo partie dhe larg përplasjes politike mes forcave opozitare.
Kjo ndarje e protestave pasqyron qasjet e ndryshme brenda opozitës, teksa një pjesë zgjedh përballjen direkte përpara Kryeministrisë, ndërsa të tjerë kërkojnë distancim nga protestat e organizuara nga partitë tradicionale.
