Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar këtë të hënë në provincën Java Qendrore të Indonezisë, ku një autobus pasagjerësh ka humbur kontrollin dhe është përmbysur, duke shkaktuar humbje të mëdha njerëzore.
Sipas autoriteteve lokale, të paktën 16 persona kanë humbur jetën, ndërsa 18 të tjerë janë plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitaleve më të afërta për trajtim mjekësor.
Autobusi, i cili po udhëtonte nga kryeqyteti Xhakarta drejt qytetit Yogyakarta, transportonte gjithsej 34 pasagjerë. Dyshohet se mjeti ka dalë nga kontrolli pasi ka goditur ndarësen e rrugës, përpara se të përmbysej.
Autoritetet paraprakisht bëjnë me dije se shkak i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia mbi normat e lejuara, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.
