Polonia ka marrë një vendim drastik në kuadër të forcimit të sigurisë kombëtare, duke paralajmëruar nisjen e prodhimit të minave kundër personelit për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë. Minat do të vendosen përgjatë kufirit lindor të vendit me Rusinë dhe Bjellorusinë, ndërsa një pjesë e prodhimit mund të përdoret edhe për furnizimin e Ukrainës.
Lajmi u konfirmua nga zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Pavel Zalewski, në një intervistë për Reuters, ku theksoi se Varshava synon të sigurojë sasi të mëdha minash në një kohë sa më të shkurtër.
“Ne jemi të interesuar për sasi të mëdha sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Zalewski.
“Mburoja Lindore”, strategjia e re e Varshavës
Vendosja e minave është pjesë e programit mbrojtës të quajtur “Mburoja Lindore”, i cili synon të forcojë kufijtë e Polonisë me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit, në një gjatësi prej rreth 800 kilometrash.
Ky vendim vjen paralelisht me një prirje rajonale, ku pothuajse të gjitha vendet evropiane që kufizohen me Rusinë – me përjashtim të Norvegjisë – kanë njoftuar ose po shqyrtojnë tërheqjen nga Traktati i Otavës, marrëveshja ndërkombëtare që ndalon përdorimin dhe prodhimin e minave kundër personelit.
Polonia e nisi zyrtarisht procesin e tërheqjes nga ky traktat në gusht, ndërsa prodhimi i minave mund të nisë pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore të tërheqjes, më 20 shkurt 2026.
Prodhim rekord: deri në 1.2 milionë mina në vit
Kompania shtetërore polake “Belma”, e cila tashmë furnizon ushtrinë me mjete shpërthyese, pritet të luajë rolin kryesor në këtë projekt. Drejtori ekzekutiv i saj, Jaroslaw Zakrzewski, deklaroi se kompania po përgatitet për një kërkesë masive.
“Po përgatitemi për kërkesën polake, e cila mund të arrijë në 5–6 milionë mina të të gjitha llojeve”, tha ai.
Sipas tij, Belma do të jetë në gjendje të prodhojë deri në 1.2 milionë mina në vit, një rritje e ndjeshme krahasuar me kapacitetin aktual prej rreth 100 mijë minash në vit.
Furnizim i mundshëm për Ukrainën dhe aleatët e NATO-s
Zalewski theksoi se prioritet absolut mbetet siguria e Polonisë, por nuk përjashtoi mundësinë e furnizimit të Ukrainës.
“Ukraina është përparësi absolute për ne, sepse vija e sigurisë së Evropës dhe Polonisë është në frontin ruso-ukrainas”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, Zakrzewski konfirmoi se eksportet drejt Ukrainës dhe vendeve të tjera të NATO-s, veçanërisht shtetet baltike, janë të mundshme, nëse prodhimi tejkalon nevojat e brendshme të Polonisë.
Një Evropë gjithnjë e më e armatosur
Vendimi i Varshavës vjen në një klimë tensioni të lartë gjeopolitik pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Lituania, Finlanda, Estonia dhe vende të tjera të rajonit kanë paralajmëruar hapa të ngjashëm, duke sinjalizuar një rikthim të fortë të politikave të armatimit dhe mbrojtjes territoriale në Evropën Lindore.
Ndërkohë, Ukraina ka njoftuar gjithashtu tërheqjen nga Traktati i Otavës, duke argumentuar se ka nevojë për të gjitha mjetet e mundshme për t’u mbrojtur nga Rusia, e cila nuk është palë e kësaj marrëveshjeje.
