“Akuzat imagjinare se kam takuar Suel Çelën janë mjerim politik” – Salianji i përgjigjet Berishës dhe Nokës: Në Elbasan ishte zemra e PD-së, drejtuesit të japin llogari, jo të përbaltin demokratët

Data

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të artikuluara së fundmi në adresë të tij nga drejtues të PD-së, duke i cilësuar ato si akuza të fabrikuara, të pavërteta dhe shenjë e mjerimit politik.

Në një deklaratë publike, Salianji thekson se e vetmja mënyrë për ta larguar nga gara elektorale ka qenë ngritja e shpifjeve, pasi – sipas tij – në përballje të drejtpërdrejtë politike ai i mund kundërshtarët.

“Sepse në garë dhe me garë unë i mund. Këtë e kam treguar në Korçë, në Kavajë, në Elbasan dhe kudo ku kam qenë”, shprehet Salianji.

Mohon kategorikisht akuzat për kontakte me botën e krimit

Salianji mohon prerazi pretendimet se ka pasur kontakte me persona të botës së krimit, përfshirë Suel Çelën, të cilin thotë se e ka denoncuar publikisht prej vitesh.

“Akuzat imagjinare se unë paskam takuar ata që i kam denoncuar prej vitesh, duke filluar nga Suel Çela, janë dëshmi e mjerimit politik – veçanërisht kur dihet se shumëkush tjetër i ka pasur në krah dhe i ka përdorur për interesa personale”, shkruan ai.

Sipas Salianjit, Elbasani ishte një nga degët më vitale dhe aktive të Partisë Demokratike, dhe goditjet ndaj tij synojnë të zbehin zërat kritikë brenda partisë.

“Drejtuesit të japin llogari për humbjet, jo të përbaltin demokratët”

Në reagimin e tij, Salianji ngre shqetësime të forta për gjendjen e brendshme të PD-së, duke theksuar se demokratët dhe shoqëria kërkojnë zgjidhje reale dhe jo përplasje personale.

Ai rendit një sërë problemesh që, sipas tij, kërkojnë përgjigje urgjente nga drejtuesit e partisë:

•humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore

•mosmbajtja e premtimeve

•degradimi i debatit politik në akuza të pavërteta

•promovimi i humbësve serialë

•cimentimi në poste pa mbështetje reale

•atrofizimi i strukturave të partisë

•pafuqia për të përballur dhe rrëzuar një qeveri të zhytur në korrupsion

•pamundësia për të nxjerrë qytetarët në protesta

“Në vend që të japin llogari, disa drejtues zgjedhin të përbaltin demokratët kritikë”, thekson Salianji.

“Vijë e kuqe për kartën morale të opozitës”

Salianji shton se ai vetë nuk ka asnjë përgjegjësi për emërime apo vendimmarrje që kanë dëmtuar imazhin moral të opozitës.

“Unë nuk kam komanduar struktura për të zgjedhur deputet dikë që, si prokuror, gjendet në makinë me banda kriminale nën breshërinë e plumbave. Kjo është vijë e kuqe dhe dëmton rëndë kartën morale të opozitës”, shprehet ai.

“Do të vazhdoj takimet me demokratët, pa u ndalur”

Në mbyllje, Salianji thekson se nuk do të ndalet përballë presioneve dhe sulmeve, duke garantuar se do të vazhdojë takimet ballë për ballë me demokratët, me qëllimin që Partia Demokratike të rikthehet si forcë fituese.

“Demokratët dhe populli opozitar meritojnë rotacion. Unë do të vazhdoj rrugën time, me lirinë time dhe me të vërtetën”, përfundon ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related