“Shqipëria mbahet peng nga një organizatë kriminale” – Deputeti i PD: Rama duhet arrestuar, jo mbrojtur!

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, ka bërë deklarata tepër të forta në një emision televiziv, duke akuzuar drejtpërdrejt Kryeministrin Edi Rama se qëndron në krye të një organizate kriminale që, sipas tij, ka kapur shtetin dhe po plaçkit buxhetin publik.

Strazimiri u shpreh se aferat e fundit të bëra publike, përfshirë çështjen që lidhet me ministren Belinda Balluku, nuk janë raste të izoluara korrupsioni, por pjesë e një skeme të strukturuar vjedhjeje masive, të cilën ai e cilësoi si “buxheticid” – shkatërrim të qëllimshëm të buxhetit të shtetit.

Sipas deputetit, kompanitë e lidhura me pushtetin kanë përthithur çdo cent nga fondet publike pa kryer punë reale në terren, ndërsa në dokumente investimet rezultojnë të përfunduara. Ai theksoi se pasojat janë të dukshme: rrugë që shemben, infrastrukturë që dështon dhe kanalizime që nuk funksionojnë, ndërkohë që paratë janë zhdukur.

Strazimiri akuzoi gjithashtu drejtues institucionesh të larta se po pengojnë drejtësinë, duke përmendur rolin e Kryetarit të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, i cili sipas tij po bllokon veprimet e SPAK-ut. Ai kërkoi që Prokuroria e Posaçme të veprojë pa presion politik dhe të nxjerrë urdhër-arreste jo vetëm për Ballukun, por edhe për zyrtarë të tjerë të lartë dhe veçanërisht për Kryeministrin.

“Kur një ministër arrestohet, pyetja është çfarë ndodh me kryeministrin që ka edhe më shumë pushtet për të prishur prova dhe për të intimiduar dëshmitarë,” tha Strazimiri, duke shtuar se sipas tij Rama është “koka e korrupsionit” dhe drejtuesi real i kësaj strukture kriminale.

Deputeti theksoi se SPAK duhet ta trajtojë këtë çështje si organizatë kriminale, ashtu siç e parashikon edhe praktika ligjore, duke goditur fillimisht drejtuesin e saj. Sipas tij, çdo veprim tjetër është vetëm manovër kozmetike që nuk ndalon vjedhjen dhe shkatërrimin e provave.

Në fund, Strazimiri foli për një shoqëri të mpirë dhe të lodhur, ku një pjesë mbron hapur pushtetin ndërsa pjesa tjetër është dorëzuar nga mungesa e shpresës. Ai paralajmëroi se pa veprim të fortë të drejtësisë, situata do të thellohet edhe më shumë dhe shteti do të rrëshqasë drejt kolapsit total.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related