Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në aktivitetin për 35-vjetorin e themelimit të PD-së se qeveria aktuale ndodhet në momentin e saj më të dobët, duke e krahasuar me Partinë e Punës në vitin 1990, pak para rrëzimit të diktaturës komuniste.
Sipas Berishës, opozita ka hyrë në fazën vendimtare të përballjes me atë që ai e cilëson si “narkoshteti i parë në Evropë”, duke bërë thirrje për mobilizim dhe protesta të fuqishme kombëtare për rrëzimin e qeverisë.
“Narkoregjimi sot është po aq i dobët sa Partia e Punës në vitin 1990. Atëherë shqiptarët i dhanë goditjen përfundimtare diktaturës, sot është radha jonë t’i japim fund narkoshtetit”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se Partia Demokratike ka përmbushur premtimet e saj për ringritjen e opozitës dhe mbrojtjen e votës, duke e cilësuar këtë si bazën për misionin e radhës.
“U premtuam shqiptarëve se do shpëtonim opozitën dhe e mbajtëm fjalën. Premtuam se do mbronim votën dhe e realizuam. Tani kemi misionin më të madh: të shpëtojmë shqiptarët dhe Shqipërinë”, tha kreu i PD-së.
Berisha akuzoi qeverinë për grabitjen e miliardave nga buxheti i shtetit dhe për kapjen e institucioneve, ndërsa theksoi se kushtet politike janë të pjekura për një përballje përfundimtare.
“Kemi çdo mundësi për ta shembur këtë narkoshtet. Na pret beteja finale, organizimi i protestave më të fuqishme kombëtare dhe fitorja e merituar e demokratëve”, deklaroi ai.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha u shpreh se ky 35-vjetor mund të shënojë një moment historik jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për politikën shqiptare.
“Le ta kurorëzojmë këtë përvjetor duke e bërë PD-në forcën e vetme politike në botë që shemb dy diktatura. Narkoshteti po shembet dhe goditjen përfundimtare duhet t’ia japim ne”, përfundoi Berisha, mes duartrokitjeve të mbështetësve.
