Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj mazhorancës socialiste gjatë fjalës së tij në Kuvend, teksa po diskutohej raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Berisha hodhi akuza dhe përdori ironi të fortë ndaj disa deputetëve dhe ministrave socialistë, duke i lidhur me korrupsion, afera personale dhe probleme ligjore.
Në fjalën e tij, Berisha iu drejtua drejtpërdrejt deputetit Damian Gjiknuri, duke e akuzuar se përpiqet të paraqitet “më pak fajtor” se të tjerët, duke iu referuar figurave të afërta me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.
“Ti e sheh veten më pak mëkatar se të tjerët, por i ke vetë kapitujt e tu. Mos i hapim ato histori, se i di mirë edhe ti,” u shpreh Berisha, duke shtuar me ironi se Gjiknuri kishte kaluar momente të vështira personale kur, sipas tij, familjarëve të tij u humbën miliona euro.
Berisha vijoi sulmet edhe ndaj ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, duke iu referuar pranisë së tij në një takim të gjatë mes kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut, ditën kur kjo e fundit u pezullua nga detyra me vendim të GJKKO-së.
“Ti që ishe dëshmitar në atë debat 7-orësh, e di mirë çfarë është thënë atje. Kujdes, sepse këto janë vetëm fillimi i tregimeve të mia,” deklaroi kreu i PD-së, duke përdorur tone paralajmëruese.
Në vijim, Berisha hodhi akuza edhe ndaj ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, për të cilin tha se nuk mund të udhëtojë në dy shtete anëtare të NATO-s. Ai shtoi gjithashtu se Vengu mban shtetësi greke dhe duhet, sipas tij, t’i përgjigjet kësaj çështjeje publikisht.
“Ministri juaj i Mbrojtjes nuk shkel dot në dy vende të NATO-s. Ka marrë shtetësi greke dhe duhet të japë llogari për këtë,” tha Berisha nga foltorja.
Në përmbyllje, lideri i opozitës theksoi se raporti i OSBE-ODIHR-it, sipas tij, dëshmon manipulimin e zgjedhjeve dhe mungesën e legjitimitetit të mazhorancës aktuale, duke paralajmëruar përballje të fortë politike në vijim.
“Ju nuk keni asnjë legjitimitet përballë opozitës dhe qytetarëve. Kjo është vetëm faza e parë e asaj që do të vijë,” përfundoi Berisha.
