Chris Hill: Nuk do ta zgjidhja ‘non grata’-n për Berishën – Sanksionet nuk janë mjeti im i parë, dialogu po

Data

Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri gjatë viteve ’90, Christopher Hill, i cili ndodhet këto ditë në Tiranë, ka komentuar çështjen e shpalljes “non grata” të Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I pyetur nga media mbi qëndrimin e tij personal, Hill u shpreh se nuk do të kishte zgjedhur sanksionet si mjet për të adresuar situata të tilla.

“Unë kam opinionet e mia personale për këtë, se a janë këto lloj sanksionesh të dobishme apo jo. Si rregull i përgjithshëm, unë jam një person që nuk zgjedh sanksionet si mjetin e parë. Zgjedh dialogun,” deklaroi ai për Top Channel, duke nënvizuar se preferon zgjidhjen e çështjeve përmes komunikimit dhe jo përmes masave ndëshkuese.

Megjithatë, ai theksoi se nuk është në pozicion të komentojë drejtpërdrejt vendimet specifike të qeverisë amerikane për sanksionet e aplikuara ndaj Berishës.

Hill u ndal edhe te roli i ish-diplomatëve në debatet e brendshme politike, duke theksuar se ndërhyrjet publike nuk janë të dobishme. Ai vuri në dukje se ish-ambasadorët duhet të tregojnë maturi dhe të mos përfshihen në çështje të ndjeshme të politikës së një vendi mik.

“Mendoj se do të ishte një gabim për një ish-diplomat amerikan të vinte të bënte shumë komente për këtë. Nuk besoj se ndihmon askënd,” u shpreh Hill, duke dhënë mesazhin se diplomacia kërkon disiplinë edhe pasi misioni përfundon.

Deklarata e tij vjen në një moment kur debati për “non gratën” e Sali Berishës vijon të jetë një nga temat më të nxehta të skenës politike shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related