Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin për 35-vjetorin e themelimit të PD-së, ka sulmuar ashpër mazhorancën dhe figurat kryesore të qeverisë, duke u ndalur veçanërisht te zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama.
Berisha e cilësoi këtë përvjetor si më të veçantin ndër vitet e fundit, duke theksuar se Partia Demokratike ka arritur të mbijetojë dhe të forcohet pavarësisht presioneve politike, izolimit dhe goditjeve institucionale që, sipas tij, i janë bërë opozitës.
“Ky përvjetor është i veçantë sepse ajo që kemi arritur është shumë. PD është e demokratëve. Para një viti nuk kishim asnjë mbështetje ndërkombëtare për padrejtësitë që na u bënë, ndërsa sot kemi shtatë rezoluta ndërkombëtare që denoncojnë farsën elektorale të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
Ai u ndal edhe te shpallja e tij “non-grata”, duke akuzuar Ramën, George Soros dhe atë që e quajti “mafia e tyre” për përdorimin e drejtësisë dhe lobimeve ndërkombëtare kundër tij.
“Rama, Soros dhe mafia e tyre shpallën non-grata Sali Berishën, por sot ai që mori vendimin është shpallur non-grata në vendin e tij. Na treguan barin, por sot janë vetë nën hetim për korrupsion”, deklaroi kreu i PD-së.
Në vijim, Berisha iu rikthye deklaratave të tij të mëparshme ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, duke thënë se paralajmërimet e tij janë konfirmuar nga zhvillimet e fundit.
“Qeshte një vit më parë kur i thosha se do të kishte fatin e Lal Vjedhësit. Sot ajo nuk futet dot në parlament”, tha Berisha, duke nënvizuar se situata e saj politike ka ndryshuar rrënjësisht.
Në fund të fjalës, lideri i opozitës paralajmëroi se, sipas tij, pas Ballukut radha i ka ardhur kryeministrit.
“Sot i them Edi Ramës: pas lubisë, e ke radhën ti”, përfundoi Berisha, mes duartrokitjeve të mbështetësve të pranishëm në oborrin e selisë blu.
