Gjatë fjalës së tij në ‘Foltoren e qytetarëve dhe deputetëve’, të zhvilluar para Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi ashpër kryeministrin Edi Rama për bashkëpunim me grupet kriminale dhe për kapjen e institucioneve të shtetit nga ekonomia e drogës.
Berisha u shpreh se trafiku i narkotikëve ka shkatërruar ekonominë, ka mbyllur dhjetëra biznese, ka nxitur emigracionin masiv dhe ka varfëruar qindra mijëra shqiptarë. Ai theksoi se çmimet në ndërtim janë rritur në nivele të papërballueshme pasi, sipas tij, “baronët e drogës nuk i njohin limitet e parasë së pistë”.
Sipas liderit të opozitës, zhvlerësimi i euros, falimentimi i ndërmarrjeve të eksportit dhe përkeqësimi i standardit të jetesës së pensionistëve janë pasoja direkte të ekonomisë kriminale që, sipas tij, ka kapur shtetin.
Berisha e cilësoi parlamentin “institucionin më të turpshëm të vendit”, të kthyer në një instrument të qeverisë. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos pajtohen me normalizimin e kësaj situate dhe të vijojnë betejën për ta rrëzuar atë që e quajti “koha e zezë e kësaj bande”.
Fjala e plotë e Sali Berishës në protestë
**“Miq, arma e dytë e tmerrshme e kësaj bande është droga.
Çfarë ndodh me drogën?
Euro përtokë sepse vijnë eurot e drogës me kontejnerë.
Me qindra ndërmarrje të eksportit falimentojnë.
Me mijëra punëtorë dalin pa punë dhe marrin rrugët e dheut.
Kjo është mënyra. Ikin se shkatërrohen vendet e punës.
Çfarë ndodh? 35 përqind zhvlerësohet euro.
Ata pensionistë që jetojnë me ndihmën e familjarëve të tyre, marrin 35 përqind më pak, bëhen 35 përqind më të varfër.
Çfarë ndodh?
Çmime stratosferike në ndërtime se baronët e drogës nuk i kanë gjë paratë.
Çfarë ndodh?
Ligjin e bën droga. Droga vret në aeroport, droga vret në Elbasan, vret kudo, vret dhe vret cilindo.
Dhe Edi Rama qeveris së bashku me ta.
Do e pranojmë ne këtë? Jo, kurrë.
Ky e ka shndërruar parlamentin në institucionin më qesharak, më të turpshëm të vendit.
Po parlamenti është përfaqësuesi juaj, është vota juaj, është vullneti juaj.
A do e lejojmë ne ta përdorë parlamentin në mënyrën siç po e përdor ky?
Jo, kurrë.
Ndaj dhe koha është e jona.
Këtyre u ka ikur koha.
Koha e tyre është një kohë e zezë dhe këta duhet të shkojnë për veprat e tyre të zeza që u kanë bërë shqiptarëve.”**
