Në protestën e radhës “Foltorja – Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve”, zhvilluar para Kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se opozita nuk do të pranojë më të garojë në zgjedhje me Edi Ramën në krye të qeverisë. Ai akuzoi Kryeministrin për kapjen e institucioneve, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, si dhe për nivel rekord korrupsioni në të gjitha hallkat e shtetit.
Berisha theksoi se proceset demokratike në vend janë degraduar dhe se, sipas tij, Rama ka shndërruar çdo institucion në instrument të pushtetit personal. Ai denoncoi shembjet e rrugëve, abuzimet me fondet publike dhe koston e rëndë që qytetarët po paguajnë nga keqqeverisja.
Lideri i opozitës theksoi se protesta do të vazhdojë çdo të hënë, derisa qeveria Rama të largohet, duke e cilësuar këtë moment një fazë vendimtare për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
“Edi Rama kërkon t’i diktojë Gjykatës Kushtetuese, por unë i garantoj se vendimet e diktuara të gjykatës që po bën ti, do t’i paguash shumë shtrenjtë.
Nuk pret Shqipëria.
Nuk jemi ne ata që do presim nga një prokuror apo një gjykatës shpëtimin.
Jo, shpëtimin do ta presin shqiptarët nga ne.
Ne jemi shumë. Do të jemi edhe më shumë dhe nuk heqim dorë gjer në largimin e Edi Ramës nga qeveria.
Pse shemben rrugët?
A e dini ju qytetarë se çdo tullë e pallatit në pajë të Linda Ramës është vjedhur ju, sepse ai pronari i firmës që ndërtoi pallatin, ka ndërtuar rrugën që shembet Korçë–Qafë Plloçë.
Dhe sa e ka ndërtuar ai?
Me çmim të pesëfishtë, të gjashtëfishtë.
A e shihni pra sa keni paguar pallatin?
Dhjetë herë më shtrenjtë keni paguar sarajet e Surrelit.
36 mijë euro paguani shishen e verës të sulltanit këtu.
E ka mbushur dhe po derdhet kupa.
Ndaj dhe ne sheshin nuk e lëshojmë dhe kemi hyrë në betejën vendimtare.
Demokrate e demokratë, kjo është beteja vendimtare.
Me Edi Ramën nuk shkojmë më kurrë në zgjedhje.
Zgjedhjet dhe votën nuk ia falim kurrë.
Fitorja është e jona.
Rama të ardhme nuk ka.
Do jetë e shkuara e zezë e këtij vendi.
Ligji, Kushtetuta, liritë dhe të drejtat tuaja do triumfojnë përsëri.
Të hënën tjetër, përsëri këtu.
Çdo të hënë, beteja vazhdon deri në fitore.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.”
