Deputeti Kaso: Rama po mbron korrupsionin, drejtësia duhet të shkojë deri në krye të qeverisë

Data

Në protestën e radhës të organizuar nga opozita, deputeti Ivi Kaso mbajti një fjalim të fortë para qytetarëve, ku akuzoi qeverinë aktuale se është shndërruar në një barrë të rëndë për vendin dhe në një rrezik të drejtpërdrejtë për demokracinë.

Kaso deklaroi se qeverisja e kryeministrit Edi Rama nuk funksionon më për qytetarët, por për një rreth të ngushtë interesash, të cilët, sipas tij, përfitojnë përmes korrupsionit, shpërdorimit të kompetencave dhe kapjes së institucioneve.

Ai solli në vëmendje shembuj nga vende të ndryshme europiane, duke argumentuar se pretendimi i kryeministrit se “nuk ka raste në botë që drejtësia pezullon ministra” është i pavërtetë. Sipas Kasos, në demokracitë europiane shkarkimi ose pezullimi i ministrave nën hetim është normë, ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta: zyrtarët merren në mbrojtje nga vetë kryeministri.

Deputeti theksoi se, nëse drejtësia do të vepronte me integritet, përgjegjësia do të shkonte përtej ministrave të veçuar dhe do të përfshinte vetë kryeministrin, të cilin ai e cilësoi si “shefin e të gjithëve që janë sot nën hetim ose pas hekurave”.

Kaso listoi një sërë aferash që sipas tij përbëjnë bazën e korrupsionit qeveritar: inceneratorët, tenderat e shëndetësisë, pastrimi i parave me leje ndërtimi, “tigri i Vlorës”, si dhe rruga Qukës–Qafë Plloçë, e cila, sipas tij, kushtoi trefishin e vlerës së parashikuar dhe u shemb që në shiun e parë.

Ai përmbylli fjalën duke i bërë thirrje qytetarëve të mos dorëzohen përballë një qeverie që, sipas tij, synon të shuajë çdo zë opozitar dhe të mbulojë me çdo kusht korrupsionin e brendshëm.

Fjalimi i plotë i Ivi Kasos (pjesa e cituar)

Të nderuar qëndrestarë, i nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha, të nderuar deputetë, motra dhe vëllezër demokratë, mirë se vini sot në takimin e tretë të parlamentit të qytetarëve, të parlamentit tuaj.

Në janarin e vitit ’81, presidenti i sapozgjedhur Regan deklaroi: “Në këtë krizë të sotme, qeveria nuk është zgjidhja, qeveria është problemi.” Në një vend me demokraci funksionale ai kishte të drejtë. Por për Shqipërinë është krejt ndryshe: këtu qeverisja është kthyer në hallin më të madh të shqiptarëve.

Ne nuk kemi një qeveri të popullit, prej popullit dhe për popullin. Ne kemi një bandë kaçakësh të veshur mirë që ndjekin verbërisht urdhrat e kryekaçakut, i cili ka një synim të vetëm: të vjedhë çdo gjë që Zoti ja ka dhënë këtij vendi, të përzërë shqiptarët, të tallë fermerët, të katandisë arsimtarët dhe nxënësit në ditën e tyre më të zezë.

Ai do të shuajë çdo zë dinjitoz, të nëpërkëmbë çdo kritikë dhe të kthejë opozitën në shtojcë të qeverisë. Kryeministri mashtron kur thotë se nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që drejtësia të pezullojë një ministër. Krejt e kundërta është e vërtetë.

Në Evropë nuk ndodh që zëvendëskryeministri të jetë i pandehur dhe shefi i tij ta marrë në mbrojtje. Ai ose jep dorëheqjen, ose shkarkohet. Në Rumani janë pezulluar tre ministra nga gjykata ndërsa ishin nën hetim. Në Itali një ministre e bujqësisë u pezullua dhe humbi të drejtën për detyra publike. Në Francë janë shkarkuar dy ministra, madje njëri prej tyre ministër i Brendshëm.

Por Rama nuk i shkarkon, i mbron, sepse mbron veten. Ai kërkon të krijojë një precedent të rrezikshëm që mbron çdo hajdut pushteti. Komisioni i Venecias ka thënë qartë: askush nuk është mbi ligjin.

Me arrestimin e Ballukut, më pas do të kërkohet koka e tij. Sepse ai është shefi i të gjithë atyre që sot janë nën hetim apo pas hekurave. Shefi ose di dhe është i korruptuar, ose nuk di dhe nuk bën për atë punë. Në të dy rastet duhet të ikë.

Rama duhet të përgjigjet për vjedhjen me inceneratorët, për tenderat e shëndetësisë që ua jep oligarkëve, për pastrimin e parave me leje ndërtimi, për “tigrat e Vlorës”, për rrugën Qukës–Qafë Plloçë që kushtoi 260 milionë euro dhe u shemb nga shiu i parë.

Në një qeveri të përgjegjshme, siç ishte ajo e Partisë Demokratike, 43 km nuk do të kushtonin më shumë se 90 milionë euro. Edi Rama do të duhet të përgjigjet edhe për grabitjen e pronave publike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related