“Ka nisur betejën më të rrezikshme me Kushtetutën” – Berisha: Rama po bllokon drejtësinë për të shpëtuar Ballukun

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ai është i gatshëm të krijojë çdo konflikt institucional për të mbajtur pushtetin dhe për të shmangur përballjen me drejtësinë.

Gjatë një deklarate politike, Berisha u shpreh se vendi po përballet me një situatë të paprecedentë në 35 vitet e pluralizmit, duke e cilësuar sjelljen e kryeministrit si një “grusht shteti në zhvillim” dhe një përplasje të drejtpërdrejtë me Kushtetutën.

“Ky vit fillon si asnjë tjetër në historinë 35-vjeçare të pluralizmit politik. Fillon me një grusht shteti në zhvillim nga kreu i qeverisë. Për herë të parë në historinë e këtij vendi, kryeministri ka bllokuar procedurën kushtetuese për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe ministrave që akuzohen për vjedhje, korrupsion dhe shpërdorim detyre”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, ky veprim përbën një akt antikushtetues me pasoja të rënda, pasi sipas Berishës, po ekzekutohet në mënyrë faktike pushteti i drejtësisë dhe po përqendrohet në duart e kryeministrit.

Duke iu referuar dosjes së zv/kryeministres Belinda Balluku, Berisha tha se përmbajtja e saj implikon drejtpërdrejt edhe kryeministrin Rama, çka sipas tij shpjegon arsyen e bllokimit të procedurave.

“Në dosjen e Ballukut, në tre rreshta, dy janë për Edi Ramën. Ajo e ka të qartë dhe thotë: je ti përpara dhe unë pas teje. E vërteta është kjo. Rama nuk pranon në asnjë mënyrë ta dërgojë këtë çështje në bankën e akuzës”, u shpreh kreu i opozitës.

Berisha paralajmëroi se opozita nuk do të tërhiqet dhe se beteja politike do të vazhdojë deri në rikthimin e rendit kushtetues, funksionimin e drejtësisë dhe largimin e qeverisë aktuale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related