Gjithë këto vite, politika, institucione të kontrolluara prej saj dhe drejtësia e vjetër, kanë qenë bashkë duke shpëtuar pasuritë e tyre të paligjshme. Të gjithë kanë menduar se do t’ia hedhin paq, pasi kanë besuar se i kanë eliminuar të gjitha provat në aferat e tyre. Por është pasuria, elementi që pritet t’i fundosë dhe deri më tani hetimet e Prokurorisë së Posaçme nën patronazhin amerikan kanë treguar se nuk do të kursejnë askënd.
Telashet ende nuk kanë filluar për familjen “Berisha”, pasi dosja ‘Partizani’ është ndarë me fraksion, që do të thotë se do vijojnë hetimet për çështjen tjetër, atë të pasurisë së familjes së ish-kryeministrit ‘non grata’ dhe përfitimet që mund të kenë familjarët e tij, si me rastin e vendimeve të Berishës për marrjen e truallit të Kompleksit Partizani dhe ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri i tij. Sali Berisha, në kuadër të strategjisë mbrojtëse pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion, deklaronte në çdo studio televizive se pasuria e tij ishte vetëm një apartament dhe 100 mijë euro kursime nga pagat, por dosja 500 faqshe tregoi se ai ka përdorur gjithë këtë kohë si “bankë” familjarët e tij, specifikisht Argita Malltezin dhe Shkëlzenin.
Lëvizjet bankare në 2023
Teksa vijojnë hetimet e SPAK për pasurinë e tyre, në dokumentet e ILDKPI, gjatë vitit 2023, vihet re se Argita Berisha ka tërhequr rreth 300 mijë euro nga llogaritë bankare.

